Duke komentuar paralajmërimet për kryeministrin e parë shqiptarë në 100 ditët e fundit të qeverisë, ish deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu, në intervistë për Alsat tha se shqiptarët nuk përfitojnë asgjë nga posti i kryeministrit teknik, në 3 muajt e fundit të qeverisë. Ai tha se me poste teknike e simbolike nuk zgjidhet asnjë problem i shqiptarëve në Maqedoni. Fazliu paralajmëroi gjithashtu koordinime për kthimin në politikë përmes një subjekti të ri. Në këtë drejtim, Fazliu tha se kanë kontakte me opozitën shqiptare dhe janë të gatshëm për bashkëpunim me të gjithë ata që, siç tha ai, të cilët duan të largojnë nga pushteti BDI-në.

“Është teknik. Çfarë përfituan shqiptarët me kështu poste simbolike dhe teknike më së miri tregon se ne kishim një ministër të punëve të brendshme kur Gruevski duhej të ikte, ish zëvendësministri i cili pas zgjedhjeve e luajti edhe rolin e ministrit të punëve të brendshme. Çfarë fituan shqiptarët? 27 prillin! Duke qenë ministri i BDI-së ndodhi 27 prilli, çfarë do të përfitojnë tani, asgjë, hiç. Vetëm ndonjë i parapëlqyer i liderit të BDI-së do të vetëkënaqet disa minuta në atë post. Kjo i ngjan asaj meseles nëpër dasma. Është krijuar një traditë, ke muzikën dhe orkestrën por në një pauzë të shkurtë e thirrë atë tupanxhinë, lodraxhinë 5 minuta dhe i thua ik tash, boll ishte. Me simbolika nuk zgjidhen problemet”, deklaroi Bekim Fazliu, ish deputet i PDSH-së. /Alsat.mk