8 C
Tetovo
E enjte, 6 Nëntor, 2025
BallinaLajmeOpinioneFenomeni Haqim Ramadani në Bërvenicë

Fenomeni Haqim Ramadani në Bërvenicë


Nga Latif Arifi
Zgjedhjet në komunën e Bërvenicës nuk ishin vetëm një garë për një mandat lokal. Ishin pasqyrë e qartë e mënyrës se si politika shqiptare di të rrënojë vetveten me hile, me ego dhe me lojëra të ftohta prapaskenash.
Në qendër të kësaj historie qëndron një emër i ri në politikë, Haqim Ramadani, kandidati i VLEN-it që për pak javë u kthye në fenomen politik dhe në simbol të shpresës për një ndryshim të ndershëm.

Ramadani kishte pas vetes gjithë mbështetjen e koalicionit VLEN, të liderëve dhe strukturave, gjë që u dëshmua me tubimin madhështor në Çellopek, një moment unifikues që për shumëkënd shënoi fundin e një epoke të stanjacionit politik.

Por në prapaskenë, dikush tjetër kishte përgatitur skenarin e prishjes. Në garë u rikthye Enver Pajaziti, ish-kryetar komune për tre mandate, që pasi kishte humbur katër vite më parë, këtë herë nuk doli më si “i pavarur”, edhe pse kështu u prezantua, por si pjesë e listës së BDI-së/AKI-së, nën maskën e kandidatit “të pavarur” me numrin 4. Ishte një lëvizje e paramenduar për të përçarë votën shqiptare në një komunë ku shqiptarët tashmë ishin në minorancë numerike, pasojë direkte e emigrimit masiv të shkaktuar nga keqqeverisja 20-vjeçare e BDI-së.

Në vend që të ndihmonte fitoren e një kandidati shqiptar, BDI zgjodhi ta përdorë Pajazitin si mjet për të prishur balancat dhe për t’i dhënë shanse oponentit maqedonas, Jovica Ilievskit të VMRO-DPMNE-së. Ishte një politikë e ulët, e fshehur pas patriotizmit të rremë.

Në shumë komuna si Çashkë, Pllasnicë e Butel, VLEN tregoi maturi duke mos futur kandidatë shqiptarë për të mos humbur komunat në favor të maqedonasve. Por në Bërvenicë ndodhi e kundërta, AKI/BDI përkrahu një humbës të provuar vetëm për ta sabotuar VLEN-in.

Kur Haqim Ramadani fitoi bindshëm në raundin e parë, me raport 2 me 1 ndaj Pajazitit, ky i fundit, në vend që të pranonte realitetin dhe t’i ofronte mbështetje të sinqertë në garën e balotazhit u paraqit në shtabin e Ramadanit dhe e shndërroi fushatën në një garë të tensionuar, me retorikë që ishte e panevojshme për momentin politik. Në një komunë multietnike, kjo qasje provokoi reagime dhe mobilizim kundërshtar, duke e vënë në lojë edhe vetë kryeministrin, që pa dashje u përfshi në kuzhinën e Artan Grubit.

Nga ai moment, Ramadani humbi kontrollin mbi narrativën e fushatës, dhe propaganda e BDI-së e shfrytëzoi mjeshtërisht këtë.
Operacioni kishte një qëllim të vetëm. Prishjen e raporteve brenda koalicionit qeveritar VLEN–VMRO, duke provokuar reagime te elektorati maqedonas. Ata nuk donin fitoren e Bërvenicës, donin humbjen e Bilall Kasamit në Tetovë. Ishte një lojë e ndyrë, e përgatitur në zyrat e propagandës së Grubit dhe e ekzekutuar përmes rrjeteve të BDI-së në terren dhe diasporë, duke përdorur flamuj e slogane që për 20 vjet nuk sollën asnjë përmirësim në jetën e shqiptarëve të Bërvenicës.

Madje, për ta përforcuar këtë skenar, fatkeqësisht u keqpërdor edhe shpirti patriotik i Haqim Ramadanit. Në emër të patriotizmit, disa njerëz e shoqëruan e madje e “kidnapuan” narrativën e tij, duke e shndërruar betejën elektorale nga një projekt politik të përbashkët në një garë personale. Dhe pikërisht këtu qëndron tragjedia politike e kësaj fushate! Haqim Ramadani, kandidati më i ndershëm dhe më i dashur i VLEN-it, u përdor për llogari të një strategjie të huaj për interesat e shqiptarëve.

Në fakt, qëllimi i Ali Ahmetit ishte i qartë, të frikësonte maqedonasit e Bërvenicës që të dilnin masivisht në votime kundër Haqimit, dhe paralelisht të largonte maqedonasit e Tetovës nga votimi për kandidatët e VLEN-it. Një “operacion special” politik për të shpëtuar imazhin e BDI-së, jo interesin shqiptar.
Edhe pse humbën Bërvenicën, ata fituan një alibi, fajësimin e VLEN-it. Dhe kështu, defokusan temën e vërtetë, rënien e BDI-së në gjithë Maqedoninë.

Në fund, Haqim Ramadani mbeti i vetëm, i lodhur, i manipuluar dhe i keqpërdorur nga ata që në publik shfaqeshin si mbështetës.
Por ndryshe nga sa përpiqen ta paraqesin sot, VLEN nuk e humbi Bërvenicën. Ajo ishte humbur katër vite më parë,kur në pushtet ishte BDI, kur shqiptarët, të zhgënjyer e të varfëruar nga pushteti, nisën të largohen masivisht nga vendlindja.

Prandaj, kur sot disa “patriotë” derdhin lot krokodili, kujtojmë se janë të njëjtit që dje krenoheshin se “Jovica ishte shok i fëmijërisë së tyre”. Janë po ata që ia dhanë Bërvenicën VMRO-së, e sot bëjnë moral politik.

Nëse ka një mesazh nga kjo histori, ai është i thjeshtë:
Haqim Ramadani nuk është humbësi i Bërvenicës.
Bërvenica tashmë ka heroin e vet, por fatkeqësisht, ai është viktima e fundit e një politike që trembet nga të rinjtë, nga ndershmëria dhe nga guximi për të ndryshuar rregullat e lojës.

Historia e Haqimit nuk është fundi i tij. Është një paralajmërim se shqiptarët, kur e kërkon nevoja, dinë të bashkohen, por edhe një leksion se kurrë më nuk duhet lejuar eksperimente të tilla politike, sidomos në komunat e brishta, ku çdo inat apo lojë e pistë U kushton shqiptarëve.

Le të jetë kjo histori një kujtesë!
Patriotizmi nuk matet me flamuj, por me sakrificë, ndershmëri dhe dashuri për vendin.
Këtë Haqim Ramadani dhe mërgimtarët e Bërvenicës e dëshmuan me zemër.

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments