Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar me tone të ashpra ndaj bashkëpunimit të fundit mes Arben Taravarit dhe Bujar Osmanit, duke e cilësuar si një përpjekje të hapur për rehabilitimin e BDI-së dhe Ali Ahmetit.
Në një postim në Facebook, Fetai shkruan se “Doktori dhe Pacienti” (Taravari dhe Osmani) kanë nisur një fushatë dorë më dorë, që sipas tij, synon të rikthejë në skenë rrjetin e “hajnisë dhe tradhtisë 22-vjeçare”. “Asnjëherë nuk kam pasur dyshimin më të vogël se Doktori është marrë peng nga Aliu. Prandaj, kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur Aleancën nga kthetrat e tij”, shkruan Fetai.
Ai e quan ribashkimin e sotëm mes Taravarit dhe Osmanit si një “normalizim të turpshëm”, duke paralajmëruar se “hapi i radhës do të jetë edhe më i ulët, edhe më i gërditshëm, film i vjetër me një aktor të ri”.
Fetai i kërkon ndjesë aktivistëve të Aleancës për Shqiptarët për bashkëpunimin e mëparshëm me këta dy figura, ndërsa u bën thirrje të gjithë atyre që janë mashtruar nga “përrallat për lista të ndara dhe dalje të vetëm në zgjedhje”, të distancohen nga, siç i quan ai, tradhtarët dhe të refuzojnë çburrnimin. “Tetori do të jetë VLEN dhe bashkë do të festojmë gjatë tërë Nëntorit të shqiptarëve”, përmbyll zëvendëskryeministri.