Zv.kryministri Arben Fetai në fjalimin e tij në Konventin e dytë të FRASH-it, u shpreh se rinia e ASH-së ka djemtë dhe vajzat më të ditur dhe më të guximshëm të vendit, të cilët kanë qenë dhe janë të gatshëm të japin çdo gjë nga vetja për një të ardhme më të mirë.
“Në përpjekjen tonë të pandalshme për ndryshim, si Aleancë para disa muajsh kaluam disa turbulenca dhe disa funksionarë të kapur nga pushteti i atëhershëm e braktisën shtëpinë tonë të përbashkët. Por jo edhe aktivistët e sinqertë; jo edhe rinia e cila njëzëri e mbështeti vizionin tonë për ndaljen e keqqeverisjes 22 vjeçare. Pra, pjesa më e madhe, pjesa dërmuese e FRASH-it mbeti në Aleancën për Shqiptarët dhe sot jemi në këtë konventë të dytë për të vazhduar misionin”, u shpreh Fetai.
Fetai theksoi se ka mbështetur FRASH-in gjatë viteve me aq mundësi sa ka pasur, ndërsa tani si zv.kryeministër do të jetë në dispozicion dhe në mbështetje.
“Pra dua që të bashkëpunojmë që ta rrisim dhe ta forcojmë Aleancën për Shqiptarët, ashtu siç e meriton. Na kërkoni punë dhe projekte konkrete në dobi të shqiptarëve dhe të rinisë, na bëni presion kur duhet, dhe mbi gjitha, na kërkoni llogari për veprimin tonë në qeverisje. Për fund, dua t’ua rikujtoj që FRASH-i është një mundësi e jashtëzakonshme për të mësuar dhe për t’u pjekur politikisht dhe profesionalisht. Ju lutem shfrytëzojeni në maksimum sepse jeni në kohën më të mire”, u shpreh Fetai.