Zëvendëskryeministri Arben Fetai, njëherazi një nga Liderët e VLEN, u është drejtuar qytetarëve me një mesazh urimi për Vitin e Ri 2026, duke uruar një vit me suksese të reja për të gjithë qytëtarët.
Mesazh Urimi për Vitin e Ri:
Të dashur qytetarë,
Të dashur aktivistë dhe mbështetës,
Në prag të ndërrimit të moteve, dua të reflektoj me ju mbi rrugën që kaluam në vitin 2025, një vit sfidash të mëdha, por edhe fitoresh historike.
Viti nisi me tradhti dhe pabesi. Disa shokë, duke shkelur çdo parim, u larguan sepse zgjodhën të bashkëpunojnë me regjimin e vjetër të BDI-së për interesa të ngushta personale. BDI-ja u përpoq me metodat e saj të njohura “përçaj e sundo” të na dobësonte, por ne qëndruam të palëkundur. Qëndrimi ynë i qartë kundër pabesisë nuk ishte emocion, por ndërgjegje politike, e bazuar në vlera, integritet dhe respekt të vullnetit tuaj.
Dhe ju e vlerësuat këtë konsistencë. Në zgjedhjet lokale, VLEN-i triumfoi thuajse në çdo komunë dhe tani jemi forca dominuese te shqiptarët, e tashmja dhe e ardhmja e tyre.
Si pjesë e qeverisë, arritëm rezultate të jashtëzakonshme: rritje ekonomike, rritje pagash dhe pensionesh, grante të shumta në çdo sektor, investime masive në infrastrukturë. Sistemi i drejtësisë ka filluar të çlirohet nga regjimi i vjetër. Dhe qershia mbi tortë, në dhjetor projektligji për përfaqësim të drejtë e adekuat kaloi me sukses testin e Komisionit të Venecias, një hap ky historik drejt rumbullakësimit të shtyllës kryesore normative të Marrëveshjes së Ohrit.
Ky është vetëm fillimi. Në 2026 do të shtojmë ritmin. Më shumë reforma, më shumë dejtësi e barazi, investime në arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik, për një Republikë ku çdo qytetar jeton me dinjitet të plotë.
VLEN-i është i bashkuar, i fortë dhe gurthemeli i së ardhmes sonë!
Gëzuar Vitin e Ri! Qoftë 2026 vit suksesesh të reja për të gjithë ne!




