Në emisionin “Rishtaz” të gazetës “Koha”, zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Fetai, foli hapur për ndarjet politike brenda Aleancës për Shqiptarët dhe për rrugën që çoi në formimin e koalicionit të ndryshimit.
Fetai rikujtoi se ndarja e parë ndodhi me Zijadin Selën, para dy vitesh, kur ky i fundit zgjodhi t’i bashkohej Ali Ahmetit, ndërsa VLEN-in vendosi të vazhdojë si antipod i BDI-së.
“Pas pak muajsh, Arben Taravari filloi të ndryshojë kahjen. Në vend që të fokusohej në punë e në zgjedhjet lokale që i kishim në prag, ai papritur nisi të sulmojë VLEN-in. Brenda 24 orëve pashë një ndryshim drastik në diskursin e tij një ditë lavdëronte VLEN-in dhe godiste BDI-në në Parlament, e ditën tjetër, në emisionin 360 shkallë, nisi sulmet ndaj nesh”, tha Fetai.
Ai shtoi se edhe sot nuk e kupton arsyen e këtij kthimi politik.
“Ende nuk i kuptoj arsyet e dezertimit. Bëhet fjalë për një sabotim klasik që e tentoi Arben Taravari. Njëjtë si me Zijadin Selën, edhe me Taravarin strukturat e Aleancës për Shqiptarët vazhduan aty ku ishin – në rrugën e drejtë brenda koalicionit VLEN,” tha Fetai.
Sipas tij, sot realiteti politik e ka dëshmuar qartë se kush e ka ruajtur parimin dhe kush e ka shitur.
“Është shumë e vërtetë se dy kryetarët e Aleancës kanë dezertuar dhe janë ulur në prehërin e Ali Ahmetit. Ata dy nuk flasin mes veti dhe thirren ‘Besëlidhja shqiptare’, ndërsa në fakt as nuk i besojnë njëri-tjetrit, as nuk flasin me njëri-tjetrin”, theksoi Fetai.