Pas ngjarjes tragjike në Koçan, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbajtur një mbledhje urgjente sot në ora 16:00, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai njoftoi se në shenjë nderimi për viktimat, Qeveria ka shpallur 7 ditë zie shtetërore. Përveç kësaj, Inspektorati Shtetëror i Tregut është ngarkuar që brenda tre ditëve të ardhshme të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme në të gjitha kabaretë, klubet e natës dhe diskotekat në vend, duke raportuar mbi gjetjet e tij.

Gjithashtu, është aktivizuar mekanizmi i asistencës ndërkombëtare për të ndihmuar autoritetet në përballimin e kësaj situate të rëndë.
“Jemi të përkushtuar për të siguruar drejtësi dhe mbështetje për të prekurit nga kjo tragjedi”, ka thënë Fetai.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe institucionet janë zotuar për masa të menjëhershme për të hetuar dhe parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.