Sot, me pjesëmarrjen e Ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu dhe deputetëve të koalicionit VLEN, u shënua fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Memorial dedikuar 14 viktimave të tragjedisë së zjarrit në spitalin modular në Tetovë.
Ky park memorial do të jetë një vend përkujtimi i përhershëm për jetët e humbura në këtë ngjarje tragjike, si dhe një simbol i luftës kundër një sistemi të kalbur dhe të zhytur në korrupsion.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se angazhimi politik i VLEN-it ka kuptim vetëm përmes përkushtimit të sinqertë dhe të vendosur për të ndryshuar sistemin, duke u zotuar për drejtësi të plotë për viktimat dhe familjet e tyre. “Çdo tragjedi duhet të ketë emër dhe drejtësi. Çdo jetë e humbur kërkon përgjigje, dhe çdo familje meriton të vërtetën”, u shpreh Fetai, duke premtuar se VLEN do të vazhdojë betejën për një sistem të drejtë dhe transparent.