Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, ka deklaruar se Presheva mbetet brengë e përhershme e shqiptarëve, duke theksuar se padrejtësitë që po ndodhin në Luginë nuk mund të kalojnë pa reagim.
Së bashku me kandidatin e VLEN-it për kryetar të Komunës së Likovës, profesor Nexhmedin Sadikun, Fetai vizitoi sot Preshevën, ku u prit në takim nga kryetarja e kësaj komune, Ardita Sinani.
Në këtë takim u diskutua për spastrimin etnik administrativ që po ndodh përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë, si dhe për hapa konkretë në drejtim të bashkëpunimit. Palët u dakorduan për: Lehtësimin e kushteve për studentët nga Komuna e Preshevës, aktivizimin e bashkëpunimit trekëndësh Preshevë–Likovë–Gjilan, projekte të përbashkëta në fushën e kulturës, artit dhe sportit.
“Zëri i Preshevës do të dëgjohet gjithmonë në Maqedoninë e Veriut, sepse aty ku ka padrejtësi ndaj shqiptarëve, ne kemi përgjegjësi të reagojmë”, u shpreh Fetai.