Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka zhvilluar sot një takim me Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rita Columbia.
Në një postim në Facebook, Fetai njoftoi se ka falënderuar përfaqësuesen e OKB-së për mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion dhe agjencitë e tij i kanë dhënë vendit, sidomos në procesin e hartimit dhe zbatimit të Strategjisë Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut. “Diskutuam për format konkrete të bashkëpunimit në fusha me rëndësi për të ardhmen tonë të përbashkët si qeverisja e mirë, barazia gjinore dhe përfshirja e të rinjve në proceset e politikëbërjes”, shkruan zëvendëskryeministri Fetai.
Ai theksoi se partneriteti me organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara është thelbësor për ndërtimin e institucioneve më të përgjegjshme dhe për politika që reflektojnë interesin e qytetarëve.