Zëvendëskryeministri dhe përfaqësuesi i Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, duke folur për ndodhitë e fundit në vend, tha se tentimi për ta përçarë ASH-në dhe për ta larguar nga Qeveria, kishte për qëllim të shkaktoj një krizë politike brenda shumicës parlamentare, në mënyrë që të shkaktohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Duke e përçarë dhe duke na larguar nga rruga që kemi nisur është tentuar të rikthehet BDI në pushtet. Por ky plan falë aktivistëve të ASH-së dhe strukturave tona ka dështuar. Ata të cilët e kanë ecur këtë plan tani janë të heshtur dhe e kanë kuptuar se ky plan ka dështuar dhe duhet të përballen me të gjithë abuzimet që i kanë bërë në të kaluarën dhe duhet të përballen në zgjedhjet lokale”, potencoi zëvendëskryeministri Fetai.
Ai shtoi se nuk ka mbetur asnjë dyshim më i vogël se tani më kemi dy blloqe politike, në njërën anë është VLEN-i dhe në anën tjetër BDI-ja.
“Këtë tani më e kanë dëshmuar edhe dy zyrtarë që janë rreshtuar me Arben Taravarin, ku kanë thënë se do të kemi dy blloqe politike. Ata e kanë pranuar se tanimë janë pjesë e bllokut të udhëhequr nga BDI, dhe se do garojnë përballë Koalicionit VLEN”, nënvizoi në fund zëvendëskryeministri Fetai.