Zëvendëskryeministri dhe një nga liderët e VLEN-it, Arben Fetai, në hapjen e shtabit zgjedhor në Kërçovë, tha se ky qytet ka qenë gjithmonë simbol i guximit dhe i lëvizjeve kombëtare shqiptare dhe se kësaj here do të bëhet shembull i unitetit dhe i forcës për ndryshim.
“Sonte, karvani i VLEN-it ndaloi në Kërçovë, qytetin simbol të guximit dhe të lëvizjeve tona kombëtare. Para kërçovarëve të shumtë, hapëm shtabin e fitores me kandidatin tonë Fatmir Limani. Këtu nis rrugëtimi i pandalshëm drejt një Kërçove më të mirë, që e presin të gjithë”, shkroi Fetai në rrjetet sociale.
Ai shtoi se Kërçova gjithmonë ka ditur të zgjedhë anën e drejtë të historisë dhe se edhe kësaj radhe ajo do të dëshmojë veten si shembull i vendosmërisë dhe vizionit të ri.
Në fund, Fetai e përfundoi mesazhin e tij me fjalët “VLEN-i me Fatmirin, Kërçova me ndryshimin!”.
Eksponentët e VLEN-it sot zhvilluan një ditë të ngjeshur, fillimisht në Likovë për të mbështetur kandidatin Nexhmedin Sadiku, më pas në Studeniçan ku u prezantua kandidati Sedat Bislimi, ndërsa ngjarja kryesore u përmbyll në Kërçovë me hapjen e shtabit zgjedhor.