Feti Abazi, kryetar i komunës së Bogovinës, ka njoftuar ditën e sotme, se ka nënshkruar marrëveshjen, së bashku me ministrinë e Arsimit dhe përfaqësuesit e Shkollë Fillore “Sami Frashëri”, në fshatin Pirok.
Mjetet financiare, të këtij projekti, janë siguruar nga Banka Botërore dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka theksuar Abazi.
Postimi i plotë, në Facebook:
Në ambientet e Komunës sot nënshkruam marrëveshjen trepalëshe ndërmjet Komunës së Bogovinës, Shkollës Fillore “Sami Frashëri” Pirok dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për realizimin e një projekti të rëndësishëm investiv për zgjerimin e kapaciteteve hapësinore të shkollës.
Ky projekt ka për qëllim krijimin e hapësirave të reja mësimore, duke mundësuar zhvillimin e procesit arsimor tërëditorë, në kushte më cilësore dhe më funksionale për nxënësit dhe stafin arsimor.
Investimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardeve të mësimdhënies dhe në ngritjen e cilësisë së arsimit në këtë institucion.
Mjetet financiare për realizimin e këtij projekti sigurohen nga Banka Botërore dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke dëshmuar përkushtimin institucional për zhvillimin e infrastrukturës arsimore dhe për krijimin e kushteve më të mira për brezat e rinj.

