Kandidati për kryetar të komunës së Bogovinës nga Koalicioni VLEN, Feti Abazi, së bashku me bartësin e listës për këshilltarë, Florim Rakipi, shefin e shtabit komunal, Besir Zeqiri, dhe një grup aktivistësh, zhvilluan sot një vizitë në tregun e fshatit Pirok.
Vizita pati rëndësi të veçantë, pasi u krijua mundësia për të komunikuar drejtpërdrejt me banorët dhe për të prezantuar programin e kandidatit për zhvillimin e komunës. Gjatë këtij takimi u shpërndanë fletushka me informacion të detajuar rreth projekteve të Koalicionit VLEN, ndërsa u diskutuan nevojat dhe prioritetet e qytetarëve.
Feti Abazi theksoi se djersa e punëtorëve të komunës nuk duhet të injorohet dhe se çdo banor ka rëndësinë dhe peshën e tij në zhvillimin e Bogovinës. Ai premtoi se çdo profesion dhe çdo individ do të trajtohen me seriozitet dhe respekt, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të barabartë për të gjithë.
Banorët e pritën ekipin me ngrohtësi dhe interes, duke krijuar një atmosferë pozitive dhe frymëzuese. Ky takim forcoi vendosmërinë e Abazit dhe ekipit të tij për të vazhduar punën drejt një komune më të zhvilluar dhe më të drejtë, duke e bërë Bogovinën një vend më të mirë për të jetuar, punuar dhe kontribuar.
“Ne jemi të bindur se me mbështetjen e qytetarëve, do të arrijmë të sjellim ndryshimin dhe të kthejmë komunën e Bogovinës në punë dhe zhvillim për të gjithë,” tha Abazi.