Kryetari i komunës së Bogovinës Feti Abazi, ka marrur pjesë sot, në hapjen solemne të restaurantit “Vespera”. Ky biznes është hapur nga Diaspora shqiptare, me mbështetjen edhe të IPARD fondeve të Bashkimit Europian, ka shkruar kreu i kësaj komune në Facebook.
Postimi i plotë:
“Sonte pata kënaqësinë dhe nderin të marr pjesë në hapjen solemne të restorantit **Vespera** – një investim i rëndësishëm i ardhur nga mërgata jonë, i realizuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian përmes programit IPARD.
Ky projekt është dëshmi e qartë se kur bashkohen vullneti i mërgatës, përkushtimi lokal dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian, krijohen histori suksesi që i japin jetë dhe perspektivë vendit tonë.
Si kryetar i komunës, jam veçanërisht krenar që investime të tilla po fuqizojnë zhvillimin e turizmit malor në zonën tonë. Malësia jonë ka potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe kulturor, dhe projekte si Vespera jo vetëm që rrisin ofertën turistike, por edhe krijojnë vende të reja pune për banorët tanë.
Këto investime gjenerojnë punësim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, nxisin ekonominë lokale dhe ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e migrimit, duke u dhënë të rinjve tanë arsye dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen këtu, në vendlindje.
Urime investitorëve për guximin dhe besimin në vendin e tyre! Komuna do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë serioze që sjell zhvillim, punësim dhe mirëqenie për qytetarët tanë.
Suksese Vespera – le të jetë kjo vetëm fillimi i shumë projekteve të tjera që e bëjnë Malësinë tonë destinacion të denjë turistik!”.

