“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në disa vendbanime të komunës sonë janë paraqitur probleme serioze si vërshime dhe rrëshqitje të dheut”, ka shkruar kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi në Facebook.
“Në fshatin Pirok, uji ka dalë nga kanali për shkak të dimensionimit të papërshtatshëm dhe bllokimit të gypave nga prurjet e mëdha të ujit. Për zgjidhje afatgjate, duhet të realizohet rikonstruktimi i një kanali të ri me kapacitet më të madh për të përballuar reshjet intensive. Si dhe të intervenohet me urgjencë për regullimin e rrugës”, ka shtuar ai.
“Në Novo Sellë, reshjet kanë shkaktuar shembjen e një pjese të rrugës brenda fshatit, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Komuna do të ndërtojë mur mbajtës të ri për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Në Kallnik, uji ka dalë nga kanali dhe ka shkaktuar dëme në disa shtëpi, ndërsa në **Çiflik** ka pasur rrëshqitje të dheut që ka bllokuar një pjesë të rrugës.
Gjatë gjithë ditës kam qenë në terren së bashku me ndërmarrjen publike **Sharri**, duke monitoruar situatën nga afër dhe duke intervenuar me pajisje të rënda aty ku ka qenë e mundur”, ka theksuar Abazi.
Ndërsa në fund ka apeluar qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut, dhe për çdo situatë të rrezikshme të njoftojnë menjëherë autoritetet kompetente. Siguria juaj mbetet prioriteti ynë, ka cekur, Feti Abazi.

