Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” ka filluar aksionin për pastrimin e gypave, pusetave dhe rrjetin e kanalizimit në të gjitha rrugët e qytetit të Tetovës. Sipas drejtuesve të Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” ky aksion do të vazhdojë edhe ditët tjera deri në pastrimin e plotë të rrjetit kanalizimeve dhe pusetave në gjithë territorin e qytetit të Tetovës. Nga kjo ndërmarrje njoftojnë se është hera e parë që po ndërmerret një iniciativë e tillë për të bërë një pastrim gjeneral, gjë që është në dobi të qytetit dhe të qytetarëve. Pastrimi i kanalizimit dhe gypave është çështje kyçe për t’ju shmangur problemeve që mund të sjellin reshjet e shiut. Gjendja më kritike është në lagjen Murat Baftjari, ku kanalizimi me vite të tëra nuk është pastruar.
“Pas një periudhe të gjatë, si ndërmarrje kemi marrë hapa konkret për të bërë pastrimin e pusetave dhe kanalizimet në të gjithë rrugët e qytetit të Tetovës. Është një aksion që ndërmerret pikërisht para ardhjes së vjeshtës, kur kemi të reshura atmosferike dhe shpesh herë shkaku I problemeve me kanalizimin na shkaktohen vërshime në rrugët e Tetovës.Shpesh herë ka edhe vërshime nëpër bodrume të shtëpive, prandaj mendojmë që sa më parë të bëjmë pastrimin e këtyre kanalizimeve dhe shpresojmë që të mos kemi probleme sikurse viteve të kaluara”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” Valon Zeqiri.
Probleme paraqiten edhe në lagjen Dardania, në mbikalimin për në fshatin Falisht, në dalje të Tetovës për në Shkup dhe në Gostivar, në lagjen Drenovec e kështu me radhë. Mos mirëmbajtja e rrjetit të kanalizimit është një nga shkaktarët kryesorë për përmbytjet që ndodhin brenda qytetit të Tetovës. Gjendja më alarmante paraqitet në pjesën tek kazerma e qytetit ku shumë shtëpi që janë në këtë zonë përmbyten si pasojë e zënies së kanalizimit.
“Këto zona por edhe pjesë tjera të qytetit janë gjithmonë problematike sepse nuk pastrohen në kohë këta kanalizime. Presim që deri në fund të muajit shtator të përfundojë pastrimi i gypave, pusetave dhe rrjetit të kanalizimit. Puntorët në terren hasin në mbeturina të ndryshme që shumë vështirë pastrohen për shkak se nuk është bërë asnjë intervenim në disa pjesë të rrugëve të Tetovës”, theksoi drejtori Valon Zeqiri.
Edhe reshjet e fundit që ishin në fillim të verës shkaktuan shumë telashe në rrugët e qytetit të Tetovës, të cilët u vërshuan pikërisht nga mospastrimi i rrjetit të kanalizimit. Problem në vete janë edhe kyçjet ilegale ku shumë amvisëri kyçen ilegalisht në rrjetin e kanalizimit, ndërsa i njëjti është projektuar për më pak amvisëri, prandaj shpesh herë ka edhe havari. Disa herë është premtuar se do të ndërmerren masa konkrete duke rritur kapacitetin e kanalizimeve por këta paralajmërime kanë mbetur vetëm në letër.