Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut shënuan një fitore të thellë për partinë opozitare VMRO-DPMNE, ndërkohë që koalicioni shqiptar “VLEN”, tashmë pjesë e qeverisjes, arriti të fitojë nëntë komuna me shumicë shqiptare.
Latif Arifi, koordinator kombëtar për media dhe komunikim dhe anëtar i shtabit elektoral të koalicionit VLEN, në një analizë për “MCN Informacion”, renditi disa nga arsyet pse, sipas tij, votuesit shqiptarë të lodhur pas 21 vitesh qeverisje, vendosën të ndëshkojnë BDI-në dhe Ali Ahmetin, duke mbështetur koalicionin e ri politik.
Të gjitha projeksionet tona parashikonin që VLEN do të fitonte shumicën e komunave me popullsi shqiptare, dhe ashtu ndodhi.
Rezultatet ishin brenda pritshmërive tona, edhe matjet e opinionit publik treguan qartë këtë trend, i cili u konfirmua më 19 tetor.
VLEN doli si fituese absolute në pothuajse të gjitha komunat shqiptare.
Sipas tij, rezultati i dobët i BDI-së dhe humbja e Ali Ahmetit kanë disa arsye të qarta politike dhe organizative.
Koalicioni i z. Ahmeti ishte një bashkim jo i natyrshëm. Edhe pse u quajt ‘Besëlidhja Shqiptare’, ishte e qartë që dy protagonistët kryesorë të tij, Zijadin Sela dhe Arben Taravari, nuk kishin marrëdhënie të mira mes tyre.
Kur dy anëtarë të një koalicioni nuk japin dorën me njëri-tjetrin, është vështirë të flasësh për një besëlidhje të vërtetë.
Mungesa e ofertës konkrete për qytetarët dhe fushata e karakterit kombëtar, në vend të asaj lokale, ndikuan në humbjen e BDI-së.
Në këto zgjedhje lokale, z. Ahmeti zhvilloi një fushatë me flamuj e slogane kombëtare, që nuk kishin lidhje me problemet e komunave.
Ai ka pasur 21 vite në pushtet për të zgjidhur çështjet që prekin shqiptarët, por nuk e bëri. Në vend të kësaj, kërkoi të kthejë zgjedhjet në një lloj referendumi politik.
Qytetarët i dhanë përgjigjen e tyre: pas 21 vitesh, ata u lodhën dhe kërkuan ndryshim.
Arifi thotë se fitorja e VLEN përbën jo vetëm një moment gëzimi për shqiptarët, por edhe një përgjegjësi të madhe politike.
Tani është koha të tregojmë se dimë të qeverisim ndryshe.
Duhet të mos përsërisim gabimet që BDI i bëri. Nga ana tjetër, është një përgjegjësi që në minimun të mos bëjmë atë që ka bërë BDI, për 21 vite.
Qytetarët kanë dhënë besimin, dhe ne duhet ta kthejmë atë në rezultate konkrete.