Besmir Bojku, gjatë dy viteve të fundit është një nga lojtarët kyç të kampioni në fuqi Struga Trim Lum, por pësoi një thyerje të këmbës së djathtë në mars të këtij viti kundër Rabotniçkit në Shkup.
Që nga atëherë, Bojku është duke u rikuperuar nga lëndimi dhe duke punuar individualisht.
Ai thotë se kjo periudhë ishte shumë e vështirë për të, por falë Zotit ia doli dhe pret që shumë shpejt t’i rikthehet stërvitjeve me grupin.
Bojku nuk dëshiron të kujtojë fare atë moment shumë të vështirë në karrierën e tij, pasi dëshiron që të rikthehet sa më shpejt në fushat e futbollit, pas stërvitjeve individuale që kanë bërë, qoftë në fushë apo edhe në palestër.
Futbolli dhe Struga Trim Lum janë gjithçka për të, ndaj edhe gjatë periudhës së rikuperimit nuk mund të mos e ndiqte skuadrën e tij, qoftë në TV apo nga tribuna.
“Kam parë të gjitha ndeshjet e klubit, ato miqësore, ato europiane dhe tani në kampionat.
Mund të them se vërtet e kam vuajtur shumë këtë pjesë, sepse nuk kam mundur të jap kontributin tim, nuk kam mundur të ndihmoj as shokët e skuadrës, sidomos në ato momente të vështira”, tha Bojku.
Besmir Bojku ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës në sezonin e kaluar.
Besmir Bojku ka luajtur një rol qendror edhe në titullin e parë kampion, ndërsa shpreson që me rikthimin e tij Struga Trim Lum do të shpallet sërish kampion, gjë që do të ishte qershia mbi tortë.
“Sigurisht, kjo do të ishte qershia mbi tortë, për të kurorëzuar rikthimin tim me trofeun e kampionatit. Struga Trim Lum e meriton një gjë të tillë, e meriton e gjithë Struga e sidomos familja Qyra që i jep shumë sportit dhe kulturës.
Ndaj shfrytëzoj rastin që të falënderoj publikisht të gjithë në klub, veçanërisht sponsorin, sepse në këtë periudhë shumë të vështirë për mua, ata ishin pas meje, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo punë.
Shpresoj se do t’i shpërblejë me ndeshje të mira dhe mbi të gjitha me rezultate të mira, të cilat do të na siguronin titullin e tretë radhazi”, – ka thënë Bojku për faqen e klubit.