Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Galeria e Arteve në Tetovë organizoi një aktivitet të veçantë kulturor dhe edukativ në bashkëpunim me Shkollën Fillore Komunale “Naim Frashëri”. Aktiviteti përfshiu një punëtori treditore të artit, e cila u kurorëzua me hapjen e një ekspozite mbresëlënëse me punimet e realizuara nga vetë nxënësit.
Punëtoria u zhvillua nën kujdesin e kuratores znj. Besa Murati dhe udhëheqjen profesionale të arsimtares së artit figurativ znj. Arbina Bexheti Iseni. Fëmijët sollën në telajo botën e tyre të brendshme – të mbushur me ngjyra, ide të freskëta dhe kreativitet të pafund.
Në hapje të ekspozitës, U.D. drejtoresha e Galerisë së Arteve – Tetovë, znj. Arbenita Meta, u shpreh: “Kjo ekspozitë përmbledh punimet e realizuara me përkushtim nga vetë nxënësit gjatë ditëve të punëtorisë, duke dëshmuar fuqinë e artit në zhvillimin kreativ, personal dhe social të tyre. Falënderoj arsimtaren znj. Arbina Bexheti Iseni për përkushtimin e saj profesional, nxënësit për krijimtarinë frymëzuese dhe udhëheqësinë e shkollës ‘Naim Frashëri’ për bashkëpunimin e shkëlqyer.”
Ekspozita u mirëprit me entuziazëm nga prindër, mësimdhënës, nxënës dhe dashamirë të artit, të cilët patën rastin të njihen nga afër me vizionin dhe mesazhet e fëmijëve të shprehura përmes veprave artistike.
Ky aktivitet shënoi më shumë se një festë – ai solli në vëmendje rëndësinë e artit si mjet edukues dhe fuqizues për brezat e rinj, duke e kthyer fëmijërinë në qendër të vëmendjes përmes krijimtarisë.