Avokati i sapozgjedhur i Popullit, Faton Selami, ka dhënë sot deklaratën e tij solemne, me ç’rast është formalizuar marrja e detyrës në një nga institucionet kyçe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Kryeparlamentari, Afrim Gashi, ka vlerësuar se zgjedhja dhe konstituimi i këtij institucioni, i cili për një periudhë të gjatë ka qenë pa udhëheqje, dëshmon se dialogu dhe përgjegjësia institucionale janë rruga e duhur për forcimin e institucioneve demokratike.
Gashi i uroi Selamit sukses në ushtrimin e mandatit, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë në veprim, në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

