Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe zëvendëskryeministri Bekim Sali kanë qenë në ngushëllime pranë familjes Daci, pas ndarjes nga jeta të Nexhat Dacit.
Në një postim, Bekim Sali ka theksuar se së bashku me kryeparlamentarin Gashi kanë përkujtuar me dhimbje dhe respekt figurën e Nexhat Dacit, duke e cilësuar atë si një intelektual të rrallë, burrë shteti dhe personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në jetën akademike, institucionale dhe politike shqiptare.
“Ai i shërbeu vendit me urtësi, vizion dhe përkushtim, duke qenë gjithmonë zë i arsyes, dijes dhe përgjegjësisë publike”, ka shkruar Sali.
Zëvendëskryeministri ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për bashkëshorten e të ndjerit, Zineta Daci, dhe për gjithë familjen, duke theksuar se kujtimi dhe vepra e Nexhat Dacit do të mbeten të gjalla në memorien kolektive.
“Zoti e pastë mëshiruar”, ka përfunduar ai.




