Kryeparlamentari, Afrim Gashi, realizoi sot një vizitë pune në Komunën e Tetovës, ku u prit nga kryetari i komunës, Bilall Kasami.
Gashi tha se kjo vizitë është pjesë e praktikës së tij për të takuar nga afër drejtuesit lokalë dhe për t’u informuar mbi sfidat dhe prioritetet e komunave.
“U informova për sfidat, projektet dhe mundësitë që e presin këtë qytet. Diskutuam mbi rëndësinë e zhvillimit të projekteve lokale dhe nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional”, tha Gashi, duke shtuar se në këtë kuadër, një hap i rëndësishëm do të jetë edhe funksionalizimi i zyrave të deputetëve për të qenë më afër qytetarëve.
Ai falënderoi kryetarin Kasami për mikpritjen e ngrohtë dhe theksoi se qëllimi i përbashkët mbetet përmirësimi i jetës së qytetarëve të Tetovës dhe rajonit. “Bashkë do të punojmë për të siguruar një të ardhme më të mirë për Tetovën”, u shpreh Gashi.