Gazetari Ismail Sinani ka akuzuar hapur Bashkimin Demokratik për Integrim se në vitin 2011 ka qenë pjesë e Qeverisë që i ka siguruar një pagë mujore prej 5000 eurosh Johan Tarçullovskit, i dënuar nga Gjykata e Hagës për masakrën në fshatin Luboten të Shkupit.
Në një postim në facebook, Sinani kujton 12 gushtin e vitit 2001 si një nga ditët më të rënda të karrierës së tij. Ai thekson se raporti i obduksionit të viktimave të Lubotenit, që kishte parë atëherë, ishte dokumenti më i rëndë për t’u lexuar dhe që më vonë shërbeu si provë në procesin gjyqësor në Hagë.
Por goditjen më të madhe, sipas tij, e ndjeu kur në vitin 2011, me bekimin e partive në pushtet, mes tyre edhe BDI-së, Johan Tarçullovskit iu caktua një rrogë prej 5000 eurosh në muaj.
“Të pafytyrë! Mos aktroni se vajtoni! Allahu i mëshiroftë dëshmorët!”, përfundon Sinani, duke iu drejtuar politikanëve që sot shfaqen si mbrojtës të viktimave të Lubotenit.