Bashkimi Evropian (BE) pret formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re e cila duhet t’i përvesh mangët dhe t’i zbatoj reformat të cilat do ta shpijnë vendin drejt BE-së. Kështu deklaroi sot ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir, i cili njëherit nuk deshi të komentoj deklaratat e djeshme të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, shkruan Alsat.
“Nuk dua të komentoj, nuk është puna ime të komentoj zhvillimet politike, deklaratat e liderëve politik në vend. Ajo që mund të them është se kishte një mision të madh ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vlerësimi i tyre preliminar është se zgjedhjet ishin demokratike, të qeta dhe u organizuan në mënyrë demokratike. Me padurim presim publikimin e raportit final të misionit vëzhgues ku do të ketë sugjerime dhe rekomandime, të cilat është e rëndësishme që të zbatohen. Ajo që mund të them është se presim formimin e një qeverie stabile e cila duhet sa më shpejtë të formohet. Ajo që duam të shohim, pas formimit të qeverisë, ajo qeveri ti përvesh mangët dhe ti zbatoj reformat që kërkohen dhe shpijnë vendin tuaj drejtë BE-së”, deklaroi Gir. /Alsat.mk