Sot po zhvillohet rivotimi për zgjedhjet lokale në katër komuna të Maqedonisë së Veriut – Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë – pas dështimit të raundit të tetorit për shkak të daljes së ulët të votuesve.
Në Gostivar dhe Vrapçisht, ku janë hapur të gjitha vendvotimet për skaj kishteve të vështirësuara atmosferike, pritet përballje e fortë politike mes koalicioneve AKI dhe VLEN. Në Gostivar qytetarët zgjedhin mes Valbon Limanit dhe Nevzat Bejtës, ndërsa në Vrapçisht mes Isen Shabinit dhe Zuli Demirit.
Situata është ndryshe në Qendër Zhupë, ku në garë është vetëm një kandidat – Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve. Në Mavrovë–Rostushë, për kryetar komune përballen Anes Ahmeti nga LSDM-ja dhe koalicioni qeveritar, si dhe Oner Jakuposki nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë gjithsej 128.286 qytetarë në këto katër komuna, prej të cilëve mbi 82 mijë vetëm në Gostivar. KSHZ konfirmon se materialet zgjedhore dhe pajisjet biometrike janë shpërndarë me kohë në të gjitha vendvotimet.
Votimi për personat e sëmurë, të pafuqishëm dhe për personat në burgje dhe paraburgim zhvillohet të shtunën, në përputhje me Listën Zgjedhore.
Ndryshe nga raundi i parë, në këto zgjedhje të përsëritura nuk zbatohet pragu prej 33.33 për qind të daljes. Fitues shpallet kandidati që merr shumicën e votave nga qytetarët që dalin në votim.
Rivotimi u bë i domosdoshëm pasi më 19 tetor asnjë nga këto komuna nuk arriti censusin ligjor, me pjesëmarrje minimale që në Qendër Zhupë ra nën 22 për qind.
Heshtja zgjedhore mbetet në fuqi deri në mbylljen e vendvotimeve të dielën në orën 19:00, kohë gjatë së cilës ndalohet çdo aktivitet propagandistike.

