Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç me ekipin e avokatëve.
Në komunikatën për media thuhet se ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë Qendrën e Paraburgimit.
Hetimet e Prokurorisë së Specializuar, sipas njoftimit, kanë zbuluar përpjekje të mëtejshme për të penguar procedurat nga të akuzuarit, pasi pretendohet se kanë biseduar me vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.
Për këto arsye, Prokuroria ka kërkuar që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’i pezullohen të gjitha komunikimet, përfshirë vizitat familjare fizikisht apo përmes Zoom, telefonatat dhe komunikimet me shkrim. Kjo do të jetë në fuqi, sipas Prokurorisë, deri në vendimin e trupit gjykues.
Kjo zyrë ka urdhëruar që të ketë monitorim aktiv (nga një folës në gjuhën shqipe) të të gjitha komunikimeve jo të privilegjuara të tre të akuzuarve dhe ruajtjen e atyre të dhënave deri në përfundimin e gjykimit.
Ka kërkuar që vizitat e privilegjuara të kufizohen vetëm për ekipin e avokatëve.
Kërkesë tjetër është që tre të akuzuarit të ndahen nga të paraburgosurit e tjerë që janë në Qendrën e Paraburgimit aktualisht.
Kas reaguar deputetja e PDK-së Ganimete Musliu e cila e ka konsideruar shkelje të të drejtave të Thacit, Veselit e Selimit.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020.