8 C
Tetovo
E shtunë, 24 Maj, 2025
BallinaKulturëHapet ekspozita jubilare "35 Vjet Art" e piktorit të njohur Reshat Ameti...

Hapet ekspozita jubilare “35 Vjet Art” e piktorit të njohur Reshat Ameti në Galerinë e Arteve në Tetovë

Në I.N. Galeria e Arteve Tetovë u hap mbrëmë ekspozita jubilare “35 Vjet Art” e profesorit universitar dhe piktorit të njohur Reshat Ameti, një retrospektivë që përmbledh krijimtarinë e tij shumëvjeçare. Ekspozita përfshin vepra nga ciklet e njohura “Enigma” dhe “Nga Tradita”, të karakterizuara nga një stil ekspresiv, abstrakt, me ngjyra të fuqishme dhe motive të kulturës shqiptare.

Ekspozita tuboi figura të shquara nga jeta akademike dhe kulturore, si dhe artdashës dhe përfaqësues të institucioneve. Kuratorja Besa Dauti theksoi se ekspozita pasqyron përpjekjen e artistit për të ndërtuar një identitet të qëndrueshëm artistik dhe për të krijuar dialog shpirtëror me publikun.

U.D. Drejtoresha e Galerisë së Arteve, znj. Arbenita Meta, tha se kjo ekspozitë përbën një moment të veçantë për institucionin dhe për jetën artistike të qytetit.
“Galeria e Arteve ka privilegjin të mirëpresë një ekspozitë që nuk është vetëm një përmbledhje e veprave të një artisti, por një rrëfim i një udhëtimi të gjatë dhe të pasur krijues. Reshat Ameti ka ndërtuar një profil të fuqishëm dhe të respektuar në artin bashkëkohor, me vepra që janë prezantuar në disa prej galerive më prestigjioze në botë.”

Meta shtoi se bashkëpunimi me Ametin për realizimin e kësaj ekspozite ka qenë një përvojë frymëzuese:
“Pata privilegjin të bashkëpunoj ngushtë me të në këtë projekt. Përkushtimi i tij, pasioni dhe respekti për artin janë shembull frymëzimi për brezat e rinj të artistëve.”
Drejtoresha Meta njoftoi gjithashtu se në muajin shtator Galeria do të publikojë një monografi të veçantë kushtuar krijimtarisë së Ametit, e cila do të dokumentojë me dinjitet rrugëtimin dhe kontributin e tij në art.

“Shpreh mirënjohjen më të thellë për Profesor Ametin për kontributin e jashtëzakonshëm në promovimin dhe zhvillimin e artit tonë, si dhe për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e pakursyer ndaj këtij projekti,” përfundoi Meta.

Profesor Danço Ordev dhe kritiku i artit Mixhait Pollozhani vlerësuan ndikimin e Ametit në artin bashkëkohor, duke theksuar rolin e dritës si element simbolik dhe emocional në veprat e tij.

Ndërsa në fjalën e tij Prof. Reshat Ameti u shpreh se të pikturosh është si të flasësh me shpirtin gjithashtu falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij artistik për më shumë se tre dekada.

Ekspozitën e nderuan “Duo Shkupi” me dy pika muzikore Jeta Starova Mehmeti flautiste dhe Ermal Mehmeti violinist.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Arteve Tetovë deri 15 ditë.

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments