Nga Xhezair Shaqiri – Hoxha
Ju, partizanët e partive politike, rrini bre aty, lexoni dhe mos komentoni për UÇK-në. Prisni kur të ketë shkrime politike dhe shkruani ndonjë koment në favor të partisë që e favorizoni, sepse po më shtyni t’i shpalos shumë gjëra për ata që ju u shkoni mbrapa. Lërini ata të debatojnë. Po të jeni të bindur se nuk debatojnë ata të dashurit tuaj që po i mbroni, është se nuk duan të më provokojnë.
Deri tani ka dy arsye pse nuk kam shpalosur:
1. Nuk kam dashur të lavdërohem për kontributin tim.
2. Nuk kam dashur t’i shpalos të palarat e atyre që besoni se kanë qenë komandantë dhe ju u shkoni mbrapa verbërisht.
Në ’99 kemi marrë urdhër nga disa prej të parëve që secili të futet në vendbanimet e veta për të organizuar struktura të UÇK-së dhe parapërgatitje për 2001. Unë nuk kam qenë ndër të parët, por i pari që jam futur në terren dhe kemi bërë shumë punë me shumë shokë nga Malësia e Karadakut. Të tjerët thoshin “po, kemi bërë punë”, por asnjë plumb nuk u ndez në vendbanimet e tyre.
Kur përfundoi lufta, na thoshin se armatimit që e kishin grumbulluar iu kishte hyrë uji nëpër burë plastike dhe ishte ndryshkur, e pa armë nuk kishin mundur të luftonin. Po të njëjtit organizuan nga Prizreni njësi për të na likuiduar neve, komandantëve dhe ushtarëve të parë, që pastaj të mos ketë kush t’i kundërshtojë kur të lavdërohen para jush dhe t’ju rrjepin lëkurën me decenie duke ju lodhur me “UÇK, UÇK, UÇK”.
Nuk po përmend emra, sepse keni krijuar simpati ndaj tyre dhe do të befasoheni nga e vërteta.
Dhe jo rastësisht filloi lufta në fshatin tim të lindjes, Tanushë, në 2001, deri te beteja e fundit e UÇK-së në Haraçinë. Mund t’ju bëj be se asnjëri nga këta që i përkrahni as që ka ditur, e as nuk më ka treguar, se si organizohen strukturat para luftës, as si futet në Haraçinë, as si formohen strukturat ushtarake apo si përballohen sulmet në betejë.
Çojeni këtë shkrim kujt të doni nga këta dhe le të debatojmë në publik me ta. Por jo, nuk dalin – unë po jua them.
Nuk ka qenë rastësi pse u tradhtua komandant Teli dhe pse iu bë atentat komandant Hoxhës menjëherë pas përfundimit të luftës së 2001-shit.
Mos shani dhe mos komentoni, sepse shefat tuaj do të bien pishman kur t’ua plas të vërtetat e pathëna, dhe atëherë do t’ju prishen iluzionet kur ta kuptoni të vërtetën.
Të dal unë në protestë sot? Po a? E si ta mbuloj turpin para komandant Sokolit dhe shumë shokëve të ditëve të para, që na janë bashkuar prej fillimit në Tanushë e deri në fund?
A keni harruar ku është Sokoli me shokë? Jo, de jo, se nuk e keni atë dert si jeton komandant Haxha apo kush e futi dhe e mban në burg Sokolin me shokët.

