Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka njoftuar se nga dita e nesërme do të fillojnë punimet për pastrimin e kanaleve të ujitjes në rajonin e Gostivarit dhe Vrapçishtit, një kërkesë e kamotshme e fermerëve të kësaj zone.
Gjatë ditës së sotme, Hoxha ka qenë në terren së bashku me inxhinierët përkatës, përfaqësues të SHA “Ekonomia e Ujërave”, si dhe kompaninë që do t’i realizojë punimet, ku është vlerësuar gjendja aktuale e kanaleve dhe është përgatitur plani operacional për fillimin e punimeve.
Sipas zëvendësministrit, këto ndërhyrje kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të ujitjes dhe krijimin e kushteve më të mira për prodhimin bujqësor, në interes të drejtpërdrejtë të fermerëve lokalë. “Sot isha në terren në rajonin e Gostivarit dhe Vrapçishtit, ku nga nesër fillojnë punimet për pastrimin e kanaleve të ujitjes. Një kërkesë e kamotshme e fermerëve të kësaj ane. Së bashku me inxhinierët dhe përfaqësuesit e SHA Ekonomia e Ujërave dhe kompanisë që do t’i realizojë punimet, pamë nga afër gjendjen aktuale dhe përgatitëm planin për fillimin e punimeve, në interes të fermerëve lokalë”, ka bërë të ditur Hoxha.




