Artan Grubi i Listës së Zezë Amerikane që ndodhet në arrati pavarësisht se u shkarkua nga Universiteti i Tetovës para më shumë se një viti, ai ende figuron në ueb-faqen e universitetit si profesor në Fakultetin Juridik, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse në janar të vitit 2025 Artan Grubi i cili ishte i punësuar si profesor në Departamentin e Gazetarisë u shkarkua pasi nuk ishte paraqitur në punë për disa ditë, një vit më vonë ai ende figuron në ueb-faqen e universitetit si profesor.

Kërkuam nga Universiteti i Tetovës se pse ende Grubi figuron në ueb faqe, por nga universiteti nuk morëm përgjigje në në këtë pyetje.
“Të hënën kthehemi në punë dhe ju kontaktojmë”, na thanë nga UT-ja.
Nga ana tjetër, Forumi për Ndryshime në Arsimthekson se mirëmbajtja dhe përditësimi i ueb-sajtit ka të bëje me transparencën, një koncept totalisht i panjohur për Universitetin e Tetovës.
“Skandali qëndron te fakti se ata edhe s’dinë, edhe s’duan të dinë. Menjëherë pasi rezultuan shumë keq në Indeksin e Transparencës që e publikoi FNA, ne i kontaktuam për t’ju ndihmuar, e lutëm Rektorin për takim, s’pranoi, me pak fjalë, tha se jemi komfort këtu ku jemi, në fund të listës për transparencë, shkencë e gjithçka tjetër”, thanë nga FNA.
Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane në për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.
Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohet me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.

