Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër pas informacioneve që lidhen me përfshirjen e eksponentëve të BDI-së në zjarrvëniet e fundit që kanë përfshirë rrethinën e Shkupit, duke paralajmëruar se nëse këto dyshime konfirmohen, atëherë BDI do të përjetojë fundin e saj politik dhe moral. “Aty ku ka tym, ka edhe zjarr. Dhe kush po i hedh benzinë këtij zjarri? Informacionet kanë qarkulluar prej kohësh: BDI, në mungesë të shpresës për t’u kthyer në pushtet, mund të inskenojë incidente për të prodhuar krizë dhe për të rikrijuar ndonjë kauzë politike false, nën emrin ‘nongrata, kazino, korrupsion e krim’”, shkruan Ibrahimi.
Ai ka kujtuar rastin e dyshimeve për përfshirjen e kryetarit të një dege të BDI-së në Shkup si i përfshirë në zjarrvëniet që kanë shkaktuar dëme në natyrë, prona private dhe biznese, duke theksuar se reagimi nervoz i BDI-së është shenjë e fajësisë së mundshme. “Edhe fakti që koordinatori i grupit parlamentar të kësaj partie reagon me ‘mizën nën kapuç’ flet shumë. Aty ku ka tym, ka edhe zjarr”, thekson ai.
Ibrahimi kërkon që hetimet të vijojnë, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë, por paralajmëron se nëse vërtetohen dyshimet, ky do të jetë jo vetëm fundi politik i individëve të përfshirë, por edhe rënia përfundimtare e një partie të ndërtuar mbi manipulim, frikë dhe krim. “Ky do të jetë fundi i një politike antishqiptare dhe antiqytetare. Fundi i një lideri që hyri në skenë si ‘çlirimtar’, por mund të përfundojë duke e ruajtur vetëm prapashtesën e këtij emri – dhe atë jo si nder, por si damkë”, përmbyll reagimin e tij Ibrahimi.