Nxënësit shqiptarë të Idrizovës që tashmë duhet të jenë në klasë të gjashtë kanë hyrë në muajin e tretë të bojkotit për shkak të mungesës së mësimit shqip në shkollën fillore “Njegosh” të komunës Gazi Babë. Në rast se humbin vitin shkollor, Këshilli i prindërve përgjegjësi do të kërkoj nga ministri i Arsimit dhe kryetari i Komunës Gazi Babë të cilët, sipas prindërve, po shfrytëzojnë fëmijët për pikë politike.
“Nëse edhe e humbin vitin neve përgjegjësinë për këtë çështje do I’a lëmë ministrit dhe kryetarit të komunës. I kisha apelu që të dy që fëmijët tanë mos ti shfrytëzojnë për pikë politike, mos ti marin në qafë për interesa partiake. Ka filluar edhe I treti muaj që fëmijët nuk shkojnë në shkollë për këtë bëj apel të bëjnë një zgjidhje se ne kemi me humb vitin e fëmijëve. Kërkojmë që të merret përgjegjësi edhe ndaj drejtoreshes që fëmijët tanë I ka regjistruar maqedonisht”, deklaroi Rizvan Seferi, Këshilli i Prindërve.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se nuk heq dorë nga hapja e paraleles shqipe për klasën e gjashtë në shkollën e Njegoshit. Ai u bëri thirrje këshilltarëve komunal të votojnë pro hapjes së kësaj paralele.
“Nuk bëjnë asnjë gjë, asnjë krim nëse dikujt ja mundësojnë që të vazhdoj mësimin në gjuhën e tij. Përderisa subjekti politik I opozitës po më apelon ose po më thir për në Komunën e Dellçevës ose në ndonjë komunë tjetër për hapjen e paraleleve, unë do ti pranoj çdo llojë kërkese por ama atë gjë ta bëj edhe në Komunën e Gazi Babës, gjegjësisht në shkollën e Njegoshit”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Nga Komuna e Gazi Babës thanë për Alsat se deri në fund të muajit Nëntor pritet të mbahet seanca e këshillit komunal ku në rend dite pritet të jetë edhe kërkesa për hapjen e paraleles shqipe që tashmë është dorëzuar nga shkolla e Njegoshit. /Alsat.mk