Ka pyetje që duhet t’u përgjigjemi për të kuptuar: kush? çka?
Dalja e Arben Taravarit me grupin e vet nga Qeveria, pa e marrë gjithë VLEN-in me vete, ashtu siç i futi aty: e forcoi apo e dëmtoi përfaqësimin institucional të shqiptarëve në Qeveri?
Përgjigjja është e thjeshtë: e dëmtoi.
Pra, një herë hyri si humbës.
Tash, doli vetë, pa e marrë gjithë VLEN-in me vete, ashtu siç i mori kur hyri.
Për të qenë përgjigjja “i ndihmoi shqiptarët”, veprimet duhej të ishin:
1. Me komplet VLEN-in të dilte nga Qeveria, me fuqinë për të nxitur zgjedhje të parakohshme parlamentare;
2. Të vazhdonte të luftonte brenda Qeverisë për përfaqësimin e shqiptarëve.
Nuk e bëri as njërën, as tjetrën.
Pyetja tjetër: në Frontin Evropian, pse ka ardhur dhe kujt i shërben?!…
Konkluzë:
Dalja e Arben Taravarit, si një nga krijuesit kryesorë të VLEN-it, nga Qeveria, pa e marrë gjithë krijesën e tij me vete jashtë, nuk është vepër kombëtare, por tregtare, tani, në prag të zgjedhjeve lokale. Sepse që nga dita e parë në politikë, ai kurrë nuk ka qenë pa pushtet, sidomos pa pushtet lokal.
Arsyetim:
Nuk mundet t’i krijosh të gjitha parakushtet për bashkëpunimin me Mickoskin:
– fillimisht të përçashë Aleancën për Shqiptarët,
– të dalësh kandidat për president, që do ndihmosh kandidaten e VMRO-së për t’i maksimalizuar votat,
– ta votosh në raundin e dytë atë,
– t’i japësh dorën Mickoskit në Shkup për bashkëqeverisje ende pa mos e ditur rezultatin e zgjedhjeve, duke u thënë shqiptarëve: “Edhe po nuk na zgjodhët ju, na ka zgjedhur Mickoski”,
– të hysh në Qeveri si humbës duke votuar programin e VMRO-së “Makedonija povtorno tvoja”, dhe ta bësh program tëndin,
– të realizosh pikat kyçe të atij programi,
– të shkelësh jo vetëm votën e qytetarëve por edhe nënshkrimin tënd se nuk bëhesh pjesë e Qeverisë pa ndryshimet kushtetuese,
– të jesh mbrojtësi kryesor i veprimeve kundër shqiptarëve, ndaj çdo poshtërimi,
– të tallesh me përpjekjet e çdo shqiptari, politikani tjetër që don kombin dhe vihet në mbrojtje të tij, qoftë për gjuhën, qoftë për çdo të drejtë tjetër.
Pasi ti nënshkruan thirrjet publike me dhjetëra miliona euro në Shëndetësi, të dalësh dhe të thuash: “Mjaft ishte, unë dola.”
Më falni, por sorra mendtë nuk na ka pirë që të biem në këtë nivel, e shqiptarëve hiç më pak!
P.S. Nuk është personale. Është më shumë se aq, është borxh brezash, që askujt nuk i takon ta falë. As mua.