Të shtëna me armë zjarri tronditën Haraçinën një natë më parë. ALSAT mëson se bëhet fjalë për të shtëna me armë, shënjestër e të cilave ka qenë një i ri 24 vjeçar. Sipas burimeve tona, dy vëllezërit kanë hapur zjarre me pistoleta ndaj të riut nga Haraçina teksa ka qenë në automjet. Në fotografinë që siguroi ALSAT nga vendi i ngjarjes, si dhe videoja bashkëngjitur me të dallohet një makinë e kuqe e tipit golf dhe shenjat e plumbave mbi xham. Kjo është situata e përjetuar dhe kaosi që kuptohet nga videoja. Deri tani, nuk është i qartë ende motivi i të shtënave me armë, edhe pse sipas versionit zyrtar të deritanishëm nga policia, personi ndaj të cilit është hapur zjarr, ka marrë plagë dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në klinikën “Nënë Tereza” në Shkup. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes, dhe ambulanca e thirrur ka transportuar menjëherë drejt klinikës të riun, ndërsa dy vëllezërit sulmues janë larguar nga vendi i ngjarjes. Nga policia theksuan se janë duke vazhduar hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të të shtënave. Autoritetet po punojnë në mënyrë aktive për të identifikuar të gjithë të dyshuarit dhe për të mbledhur prova për të sqaruar se çfarë çoi në këtë incident të dhunshëm. /Alsat.mk