Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në hapjen e shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, deklaroi se koalicioni është shembulli më i mirë i bashkimit dhe forcës politike shqiptare.
“Sot jemi në shtabin e fitores,” tha Mexhiti, duke theksuar se koalicioni i përbërë nga dhjetë parti politike është duke përmirësuar gabimet e 20 viteve të fundit. Ai paralajmëroi miratimin e një ligji të ri që do të sigurojë përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike, duke theksuar se kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
“Jemi këtu në sheshin “Skënderbeu”. Prandaj edhe promovim i shtabit shëndrrohet në tubime ku i vjen era e fitores sepse i fituam ata kur u bënë bashkë katër komunitete, nëntë parti politike, tash edhe me Taravarin 10-të. Tash edhe me 10-të do t’i fitojmë sepse ja vlen. Ne po përmirësojmë atë që nuk e kanë bërë 20 vite. Ne nuk jemi për politikë ditore, ne jemi për zgjidhje ligjore. Pas 30 viteve për herë të parë e rregullojm si duhet me ligj përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike. Dhe kjo do të ndodh të martën që vjen në Qeveri. Për herë të parë mbyllet si çështje”, deklaroi Mexhiti.
Mexhiti nënvizoi se koalicioni VLEN nuk ndjek politika të përkohshme, por angazhohet për zgjidhje të qëndrueshme ligjore në shërbim të qytetarëve.