Sot vizitova Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare, ku pata kënaqësinë të takoj drejtorin e institucionit, z. Jetmir Rexhepi, si dhe të ndjek nga afër një shfaqje të jashtëzakonshme që vetëm arti ynë shqiptar mund ta dhurojë. Gjatë bisedës me z. Rexhepi folëm për hapat konkretë që duhet të ndërmarrim për të përkrahur dhe fuqizuar më tej këtë institucion të çmuar, që ka një rol kyç në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kulturor.
Aty e ndjen fuqinë e vërtetë të artit: kur fjala shndërrohet në këngë, hapi në valle dhe historia merr jetë përmes emocioneve të gjalla. Këta artistë, që për vite me radhë kanë qenë të lënë në mëshirë të fatit, meritojnë mbështetje reale dhe kushte të denja për të vazhduar misionin e tyre fisnik.
Përmendëm edhe faktin që, për herë të parë pas shumë vitesh pritjeje e pasigurie, 38 artistë të Ansamblit janë pajisur me vendime të përhershme pune. Ky vendim shënoi një kthesë të rëndësishme për sigurinë profesionale dhe dinjitetin e tyre si bartës të trashëgimisë sonë kulturore.
Si zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, mbetem plotësisht i përkushtuar që të jem zëri dhe përkrahja e çdo institucioni që ruan, kultivon dhe lartëson shpirtin tonë kombëtar përmes artit dhe traditës. Ky është detyrim ndaj vetvetes dhe brezave që vijnë!
Falemnderit për pritjen e jashtëzakonshme!