Duke filluar nga 5 korriku, në pikën kufitare Tabanoc me Serbinë do të hyjë në funksion sistemi i ri “One Stop Shop”, që synon të përshpejtojë ndjeshëm procedurat kufitare dhe të reduktojë pritjet e gjata për udhëtarët, përcjell INA.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se ky sistem do të funksionojë në mënyrë të plotë dhe moderne, duke ofruar një kontroll të koordinuar mes autoriteteve maqedonase dhe atyre serbe.
“Në parim jemi marrë vesh që data 5 korrik të jetë dita e vendosjes në funksion të sistemit në të gjitha kabinat. Me këtë model të ri të kontrollit, hyrja në vend do të monitorohet nga zyrtarët tanë, ndërsa pala serbe do të kontrollojë hyrjen në Serbi. Informacionet do të shkëmbehen në kohë reale, duke zbatuar modelin e vërtetë të One Stop Shop,” deklaroi ministri Toshkovski.
Ai gjithashtu njoftoi se modeli i njëjtë pritet të zgjerohet edhe në kufirin me Shqipërinë. Sipas tij, po zhvillohen bisedime intensive me palën shqiptare dhe pritet që deri në fund të verës të nisë faza e testimit në të dyja pikat kufitare mes dy vendeve.
“Dua të paralajmëroj se vendi i tretë me të cilin planifikojmë implementimin e sistemit është Republika e Shqipërisë. Po punojmë intensivisht me kolegët shqiptarë dhe synojmë që sistemi të vendoset në të dy pikat kufitare. Shpresoj që deri në fund të verës të fillojmë testimin, që më pas të vijojë me miratimin formal nga kuvendet përkatëse,” tha ministri Toshkovski.
Me vënien në funksion të sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare me Serbinë, Shqipërinë dhe më parë me Kosovën, Maqedonia e Veriut do ta ketë të zbatuar këtë model modern të kontrollit në të gjitha kufijtë me vendet fqinje që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. /