Bota e futbollit është befasuar nga vendimi i Jose Mourinhos për ta vazhduar karrierën si trajner në Arabinë Saudite.

Pas shkarkimit nga Roma tre muaj më parë, Jose Mourinho ende nuk ka gjetur punë të re, mirëpo ai është në bisedime për tu bërë trajner në një klub në Arabinë Saudite, por jo nga të mëdhatë si Al-Hilal, Al Nassr, Al Ittihad e Al Ahli.

Siç raporton Ben Jacobs, trajneri portugez ka marrë një ofertë miliona dollarësh nga klubi Al-Qadsiah, që mund të shënojë një drejtim të ri në karrierën e tij.

Al-Qadsiah ka treguar interes të veçantë për Mourinhon dhe negociatat mes dy palëve mund të ecin shpejt në javët e ardhshme.

Për trajnerin portugez, drejtimi në Arabinë Saudite do të nënkuptonte një ndryshim rrënjësor të pamjes, por edhe mundësinë për të lënë gjurmë në një ligë në zhvillim.

Kjo skuadër në fakt nuk bën pjesë në Superligën e Arabisë, por po udhëheqin bindshëm Ligën e Parë dhe nga sezoni i ri do të jenë në elitën e futbollit arab.

Përvoja e trajnerit dhe njohuritë taktike mund të jenë çelësi për ta çuar ekipin në lartësi të reja në ligën vendase dhe ndoshta në garat ndërkombëtare.

Aktualisht te kjo skuadër luajnë disa nga yjet që kanë bërë karrierë në Evropë si Alvaro Gonzalez, Andre Carillo, Luciano Vietto dhe Mbaye Diagne.

Negociatat mes palëve tanimë kanë filluar dhe Mourinho së shpejti pritet të zyrtarizohet si trajner i ri i Al-Qadsiah.