Avokati i Popullit ka hapur lëndë me vetiniciativë për pengesën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Zëvendësavokatja e Popullit Sonja Trifunovska, deklaroi për Alsat se ata kanë kërkuar informata nga Ministria e Drejtësisë dhe Inspektorati i Gjuhëve lidhur me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa deri javën e ardhshme institucionet në fjalë duhet të deklarohen.
“Nga Ministria e Drejtësisë si kompetente për zbatimin e provimit të jurisprudencës, kërkuam informatë se çfarë konkretisht sipas detyrës zyrtare ka ndërmarrë për zbatimin e obligimeve të theksuara në dispozitat e ligjit të përmendur. Përveç kësaj, nga Ministria gjithashtu kërkuam sqarim lidhur me rrethanat dhe çfarë dhe cilat masa dhe veprime janë ndërmarrë që të arrihet harmonizim me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, tha Sonja Trifunovska, Zëvendësavokate e Popullit.
Nga Ministria me të cilën udhëheqë Igor Fillkov gjithashtu kërkohet të japë të dhëna se sa kërkesa ka pasur për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip, ndërsa nga Inspektorati me të cilin udhëheqë Arsim Idrizi, të dhëna nëse kanë kryer inspektim për këtë çështje.
Megjithatë, qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë është i prerë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk mjafton për ta dhënë provimin në shqip. Kryeministri, ndonëse fillimisht deklaroi që Ligji për Gjuhët e lejon, gjatë ditës së djeshme tha se megjithatë duhet të bëhen ndërhyrje të tjera ligjore të cilat më pas duhet të dërgohen në Komisionin e Vencias për mendim. Nga koalicioni VLEN garantojnë se do ta zgjidhin çështjen.
“Qeveria ka kapacitet edhe studentët do ta kenë në gjuhën shqipe”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Për realizimin e kërkesës së studentëve shqiptarë, krahas partive shqiptare mbështetje ofroi edhe LSDM-ja./ Alsat.mk

