Nxënëse që shiten me para, armë në shkolla, përdorim i lëndëve narkotike, vjedhje, rritje e pjesëmarrjes së fëmijëve në krim. Këto janë vetëm një pjesë e sjelljeve devijante te nxënësit e shkollave në Tetovë. Nga ana tjetër, situatën e përkeqëson dhe bashkëpunimi jo i duhur ndërinstitucional, mungesa e psikologëve në shkolla, prindërit e painteresuar për fëmijët e tyre dhe të tjera. Të gjithë këto u theksuan sot në punëtorinë mbi “Rolin e institucioneve edukativo-arsimore dhe komunës në parandalimin e delikuencës së fëmijëve”, shkruan Portalb.mk.

Kjo punëtori nxori edhe sfidat të cilat Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës te Fëmijët në Tetovë duhet t’i adresojë në të ardhmen. Kryetarja e këtij Këshilli, Blerta Ahmedi thekson se fëmijët duhet të njoftohen me efektet negative të këtyre sjelljeve pasi statistikat janë alarmante.

“Është alarmante situata, kemi numër të lartë të fëmijëve të të dy gjinive që paraqiten si konsumues të drogës por edhe si shitës të të njëjtëve. Sa i përket moshës, jo vetëm mosha 14 e më lartë, kemi edhe kategori të fëmijëve që janë më të rinj se mosha 14 vjeçe. Kemi fëmijë nga të dhënat të cilat i kemi marrë nga SPB Tetovë dhe Gjykata Themelore Tetovës, ku fëmijët e moshës 11 vjeçe na paraqiten si kryerës të veprave penale, dhunë, vjedhje të rënda e kështu me radhë”, tha Ahmedi.

Problemet që u cekën në këtë punëtori janë shqetësuese.

“Ka nxënëse që shiten me para”, tha një përfaqësuese e një shkolle fillore.

“Ka armë në shkolla”, tha një përfaqësuese e një shkolle tjetër.

Përfaqësuesit e shkollave të Komunës së Tetovës theksuan se nuk ka komunikim dhe bashkëpunim të mirë ndërinstitucional.

Drejtoresha e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, Sihana Kaba Kasami theksoi se duhet më shumë punë me fëmijët por se kjo nuk varret vetëm nga shkollat dhe prindërit.

“Kemi pengesë në komunikimin mes shkollës dhe Entit për Punë dhe Politikë Sociale, rastet paraqiten mirëpo atje diçka çalon dhe me vonesë merren në shqyrtim rastet. Problem është se shkollat nuk kanë ende psikolog, kjo është mangësi e madhe që duhet të bie në vesh të qeveritarëve”, tha Kaba Kasami.

Ajo theksoi se rastet e drogës, prostitucionit në moshën e mitur nuk duhet të heshtën por duhet të dalin në sipërfaqe një orë e më parë.

“Duhet të bëhemi gjithë sy e vesh edhe rastet mos të fshihen përtej asaj se a do na pason ndonjë penalitet neve si udhëheqës. Me rëndësi është të shpëtojmë fëmijët… Nuk jemi shkollë që të dënojmë dikë, ne duam të ndërmarrim masa që t’i shpëtojmë fëmijët”, tha Kaba Kasami.

Nga shkollat theksuan se kanë mungesë të psikologëve, madje në disa shkolla u tha se nuk ka psikolog aspak.

“Është shqetësuese se nxënësit tanë nuk kanë me kë të bisedojnë”, tha një mësimdhënëse.

Kjo problematikë u theksua edhe nga prindërit.

“Ka prind që nuk interesohen për fëmijët aspak, nuk marrin pjesë as në mbledhje”, tha një prind.

Nga ana tjetër, sociologia Ardita Abduli Reka theksoi rolin kryesor që kanë prindërit, se sa ata bashkëpunojnë hapur me fëmijët e tyre në informimin e drejtë që sjellin prostitucioni i fshehtë, përdorimi i narkotikëve dhe shumë sjelljeve tjera devijuese.

“Komunikimi dhe kontrolli permanent i fëmijëve gjatë orarit kur ata nuk janë në shtëpi do ishte shumë e nevojshme që fëmijët të shprehin ato probleme që i kanë dhe prindi të jetë në rolin mbrojtës në bashkëpunim me personelin e shkollës e kështu me radhë”, tha Abduli Reka.

Në punëtori folën edhe gazetarët Bashkim Sulejmani dhe Senat Zylbeari të cilët theksuan disa nga problematikat e kësaj natyre dhe mungesën e bashkëpunimit të institucioneve dhe veprimit të tyre efikas.

Nga Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës te Fëmijët thanë se të gjitha pikat që u theksuan në punëtori do të merren për bazë për të krijuar aktivitetet e tyre dhe planin e punës për parandalimin e sjelljeve negative te fëmijët për vitin 2024. Ata madje theksuan se në fund të vitit do të dalin me raport për punën e tyre për gjashtë muaj që nga themelimi i tyre në muajin maj 2023.

Kujtojmë që Këshilli i Komunës së Tetovës, me 30 janar 2022 miratoi vendimin për themelimin e Këshillit komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në këtë komunë. Seanca e parë konstituive e Këshillit u mbajt më 17 maj 2022. Ky këshill komunal është obligim ligjor sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve i cili duhet të themelohet në të gjitha komunat në vend.

Vetëm vitin 2022 në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë janë evidentuar 70 vepra penale në të cilat në mënyrë direkte apo indirekte janë përfshirë 89 të mitur.

Në Maqedoninë e Veriut edhe pse sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve, komunat detyrohen të themelojnë këshilla komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, në praktikë kjo çalon, sipas një hulumtimi të Portalb.mk të bërë në muajin shkurt të këtij viti, nga gjithsej 81 komuna në vend vetëm 33 kishin themeluar të njëjtin. Për këtë shkelje, sipas institucioneve kompetente nuk ishte dënuar asnjë komunë. Ekspertët kanë konstatuar se autoritetet në vend nuk bëjnë mjaftueshëm në drejtim të parandalimit të delikuencës së fëmijëve.