Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka dorëzuar kallëzim penal kundër ish-zëvendës ministrit shtesë në MPB në Qeverinë teknike, Mitko Bojmacaliev, për shkak të dyshimit se gjatë kohës sa ishte shef i kabinetit të ish-ministrit Oliver Spasovski, në mënyrë të kundërligjshme ka penguar punësimin e një personi në MPB.
Përveç kundër tij, me dyshimin se ka kryer të njëjtën vepër penale, “shkelje e të drejtave nga marrëdhënia e punës”, kallëzim penal MPB ka dorëzuar edhe kundër shefes së Departamentit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Aftësim dhe Zhvillim Profesional.
“I padituri i parë M.B – këshilltar i lartë policor për kontrollin, mbikëqyrjen dhe parandalim, menaxhimin e standardeve dhe cilësisë në BSP, ndërsa në kohën e kryerjes së krimit në pozitën e këshilltarit shtetëror – shefit të kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe e kallëzuara e dytë – udhëheqëse e Departamentit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Aftësimin dhe Zhvillimin Profesional, duke mos respektuar dispozitat ligjore të Ligjit për punë të brendshme, të cilat i referohen krijimit të marrëdhënies së punës, kanë shkelur, hequr ose kufizuar një të drejtë që i përket punonjësit”.
“Me vetëdije dhe me qëllim që të mos lidhin kontratë pune ndërmjet MPB-së dhe një farë S.T nga Prilepi, shefi i atëhershëm i kabinetit të ministrit urdhëroi shefen e Departamentit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore që ta tërheqë kontratën e punës që tashmë ishte e lidhur, e nënshkruar nga ministri dhe e dorëzuar në regjistrin e MPB-së. Ajo ka vepruar sipas urdhrit të lëshuar dhe ka tërhequr kontratën tashmë të hartuar dhe të nënshkruar”.
“Në atë mënyrë, S.T ia hoqën dhe ia kufizuan të drejtën e lidhjes së marrëdhënies së punës në MPB si kriminologe e diplomuar në Fakultetin e Sigurisë në Shkup dhe në procedurën e punësimit u përfshi si një nga studentët më të mirë të fakultetit me rekomandim të Dekanit të Fakultetit të Sigurisë, e cila gjithashtu kaloi me sukses të gjitha fazat e procedurës së punësimit dhe plotësoi të gjitha kushtet e nevojshme për lidhjen e marrëdhënies së punës në MPB”, njoftojnë nga MPB.
Përveç ngritjes së kallëzimit penal ndaj tyre, Departamenti i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të paraqesë kërkesë kundër të dyve për fillimin e procedurës për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës dhe do të vendosë masa të detyrueshme për largimin e tyre nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.