Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se kamerat e reja të sigurisë që po vendosen nëpër rrugët e disa prej qyteteve të Maqedonisë së Veriut, do të regjistrojnë tre lloje të shkeljeve në komunikacion.

“Këto kamera do të duhet të vërtetojnë konkretisht kundërvajtjet e bëra në pjesën e tre segmenteve. I pari është parkimi i gabueshëm, flas në qytetet ku do të vendosen, e dyta është kalimi në të kuqe dhe segmenti i tretë është shpejtësia që nuk është e lejueshme”, tha Toshkovski.

I pyetur se kur do të vihet në funksion ky sistem i kamerave, Toshkovski nuk dha datë të saktë, pasi tha pushteti i kaluar nuk ka parashikuar zgjidhje ligjore për vendosjen e sistemit.

“Mikro e menaxhoj personalisht këtë projekt. Dhe premtoj që për një kohë të arsyeshme, për fat të keq duhet ta them kështu. Nuk mund të them nesër, ditën tjetër apo për një muaj apo dy. Do të kemi edhe legjislacion adekuat edhe zgjidhje teknike, mendoj se zgjidhjen teknike mund ta kemi më shpejtë se rregulloren ligjore. Në çdo rast, qytetarët do të njoftohen me kohë”, pohoi Toshkovski./tv21.tv