Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ndodhen për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ku nesër, më 5 gusht 2025, do të marrin pjesë në një seri takimesh me përfaqësues të institucioneve amerikane dhe organizatave ndërkombëtare.
Një nga momentet kyçe të vizitës do të jetë takimi zyrtar në selinë e Sister Cities International në Washington DC, ku Komuna e Tetovës dhe Komuna e Çairit do të bëhen anëtare me të drejta të plota të kësaj organizate prestigjioze ndërkombëtare. Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërkombëtare dhe promovimit të diplomacisë qytetare.
Sister Cities International është një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse, e themeluar nga Presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower në vitin 1956, me misionin për të promovuar paqen dhe mirëkuptimin mes qyteteve përmes respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit. Organizata nxit marrëdhënie ndërkombëtare në fusha si kultura, arsimi, ekonomia dhe diplomacia qytetare, duke lehtësuar shkëmbime dhe partneritete mes qyteteve në SHBA dhe vende të tjera të botës.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm për integrimin ndërkombëtar të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerë amerikanë.