Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me bartësin e listës për këshillin të koalicionit VLEN, Albi Qamili si dhe kandidatët për këshilltarë ka zhvilluar sot “Marshin e Fitores” drejt Banjës së Tetovës, bashkë me kandidatët për këshilltarë komunalë, të rinjtë dhe aktivistët e tij.
Kasami tha se ky marshim simbolizon “Kapitullin e Dytë të zhvillimit të Tetovës” dhe se Banja e Tetovës është shembulli më i qartë i dallimit mes dy periudhave që ka kaluar qyteti: “epokës së kaosit, neglizhencës dhe papërgjegjësisë” dhe asaj që ai e cilëson si epokë të punës, kujdesit dhe pastërtisë.
Ai kujtoi se në vitin 2021 Banja ishte e lënë pas dore, me rrugë të shkatërruara dhe mure të rrezikshme, ndërsa sot aty janë bërë investime konkrete si: rregullimi dhe zbukurimi i murit, ndërtimi i një parku lojërash për fëmijë, zhveshtore të reja për vizitorët si dhe mirëmbajtja e rrethinës.
“Tetova meriton një udhëheqësi që e do të bukurën, e do punën, e do zhvillimin. Tetova nuk kthehet prapa në epokën e zymtë, Tetova s’ndalet!” – u shpreh Kasami.