Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami paralajmëroi vazhdimin e rrënimit të objekteve pa leje në dhe ndërtimeve shtesë të terrasave të cilat kanë zënë hapësirat publike. Kjo nismë sipas tij nuk ka të bëj me fushatë zgjedhore por lirim i hapësirave publike nga ata uzurpues që nuk kanë përfillur institucionet.
“Një ndër angazhimet e shumëta që kam pasur në komunën e Tetovës ka qenë ai i lirimit të hapësirave publike, ku edhe kam pasur kundërshtime nga ata që kanë përfituar nga uzurpimi i hapësirave publike. Por, duke pasur parasysh se për tridhjetë vite ka vazhduar ky trent i uzurpimit të hapësirave publike dhe Tetova sikur po ngulfatej, andaj ideja ishte që të lirohen hapësirat publike dhe kët6ë si proces e kam filluar që nga marrja e mandatit dhe s`ka të bëj me zgjedhje lokale. Nuk kemi marrë asnjë hap për prishje të objektit që është ndërtuar në pronë private, por ato që kanë zënë hapësirat publike. Mund të garantoj opinionin që më shumë objekte janë prishur të njerëzve që janë lidhur me Lëvizjen BESA dhe koalicionin VLEN se sa të tjerë”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Problematike mbetet çështja e kryqit në Kodrën e Diellit. Edhe pse i njëjti është ndërtuar pa leje dhe vit më parë u soll një vendim për prishjen e tij, i njëjti ende vazhdon të mos zbatohet. Kasami tha se çështja është më komplekse pasi bëhet fjalë për një institucion fetar dhe një objekt i ndërtuar në pronë private të kishës në kodër të Diellit.
“Situata është pak më komplekse këtu sepse fjaloa është për një institucion fetar dhe një objekt që është brenda pronës private të atij institucioni fetar. E aq më shumë që kur erdhëm në krye të komunës së Tetovës pamë se për atë objekt fetar veçmë ka një zgjidhje urbanistike. Pra në momentin kur është ndërtuar ai objekt, kontesti mbetet që objekti është ndërtuar pa miratim të komunës së Tetovës, dhe deri sa ai objekt të mos ketë leje adekuate për ndërtim do jetë në procedur për eliminim të ndërtimit pa leje, por janë procedura jo vetëm për këtë por edhe objekte më vogla, procedurat për eliminim janë tejet komplekse”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami në intervistë për Alsat konfirmoi interesimin e tij edhe për një mandat tjetër në krye të Komunës së Tetovës. Ai tha se në kuadër të koalicionit VLEN ka një marrëveshje parimore për tu mbetur komunat që tashmë i drejtojnë. Kasami pranoi se disa nga premtimet më të rëndësishme për mandatin e parë nuk janë realizuar duke shtuar se do të duhet të paktën edhe një mandat për realizimin e tyre. /Alsat.mk