Gjatë vizitës së tyre zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, kanë qenë mysafirë në shtëpinë e mikut të njohur të shqiptarëve, William G. Walker, një figurë emblematike e angazhimit ndërkombëtar për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve në Ballkan.
Kasami ka ndarë emocionet dhe mirënjohjen e tij për këtë takim, duke e quajtur mikpritjen e Walker “aq të ngrohtë dhe vëllazërore, sa ndjeheshim sikur ishim në Tetovë apo në Shkup”.
“Biseduam gjatë rreth historisë së shqiptarëve, sfidave aktuale dhe perspektivave për të ardhmen. Z. Walker edhe një herë tregoi se është jo vetëm mik i shqiptarëve, por një zë i fuqishëm dhe i palëkundur në mbrojtje të të drejtave tona”, ka shkruar Kasami.
Gjatë këtij takimi është theksuar roli i jashtëzakonshëm që William Walker ka luajtur për çështjen shqiptare, veçanërisht në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajon.
“Nuk ka ndjenjë më të mirë se të kesh miq të mëdhenj në SHBA dhe të ndjehesh si në shtëpinë tënde. Faleminderit z. Walker, faleminderit miku ynë!”, përfundon Kasami.