Prokurori publik përgjegjës nga Prokuroria Themelore Publike Kumanovë ka kryer kontroll në vendin e aksidentit të rëndë trafiku në afërsi të vendkalimit kufitar Tabanoc, ku një person ka humbur jetën.
Sipas informacioneve fillestare, përplasja mes dy veturave “Volkswagen Polo” me targa të Kumanovës dhe “Volksvagen Golf” me targa të Shkupit, është shkaktuar kur drejtuesi i njërës prej veturave ka hyrë në autostradë në drejtim të kundërt.
Pas kësaj përplasje, pasagjerja nga vetura e Kumanovës ka dalë nga vetura dhe në atë moment një veturë “Opel Insignia” me targa serbe është përplasur me të. Gruaja ka pësuar lëndime të rënda nga përplasja dhe ka ndërruar jetë në vend.
Është dhënë urdhër për autopsi të të vdekurës, si dhe për ekzaminimin e mostrave të gjakut dhe urinës së pjesëmarrësve të tjerë që aktualisht ndodhen në spital me lëndime të lehta. Janë grumbulluar gjurmë dhe prova materiale, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës për përcaktimin e saktë të shkaqeve të aksidentit.
Raportohet se drejtues i makinës me targa serbe ka qenë këngëtari serb Gjorgje David. Në një prononcim për mediat serbe, Gjorge David ka konfirmuar një gjë të tillë.