8 C
Tetovo
E diel, 14 Dhjetor, 2025
BallinaShëndetësiKimikati i gjetur në çokollatën e zezë mund të ngadalësojë plakjen

Kimikati i gjetur në çokollatën e zezë mund të ngadalësojë plakjen

Një kimikat i gjetur në çokollatën e zezë mund të ndihmojë në ngadalësimin e plakjes, sugjerojnë shkencëtarët.

Studimi shqyrtoi nivelet e teobrominës, një përbërës që gjendet në bimën e kakaos, në gjak dhe i krahasoi ato me shënuesit e plakjes biologjike, të cilat tregojnë se sa i vjetër është trupi në aspektin e shëndetit dhe funksionit, jo të viteve të jetës.

Ndërsa ekspertët nuk do t’i këshillonin njerëzit të hanë më shumë çokollatë, ata thanë se gjetjet mund të ndihmojnë në identifikimin e ushqimeve të përditshme që “mbajnë të dhëna për një jetë më të shëndetshme dhe më të gjatë”.

Teobromina është një “fitonutrient dietik relativisht i pa eksploruar” që është lidhur me përfitimet shëndetësore dhe rritjen e jetëgjatësisë, thanë shkencëtarët.

Analiza e kryer nga ekspertë pranë Kolegjit Mbretëror Londër, përfshinte 509 persona në Britani dhe 1.160 persona nga studimi Kora në Gjermani, raporton KosovaPress.

Shkencëtarët thanë se gjetën një “lidhje të rëndësishme” midis niveleve të teobrominës në gjak dhe plakjes më të ngadaltë biologjike.

Shkencëtari kryesor në Kolegjin Mbretëror Londër, Ramy Saad, i cili është gjithashtu doktor i gjenetikës klinike, tha se kjo qasje mund të çojë në zbulime të rëndësishme rreth plakjes dhe sëmundjeve të zakonshme dhe të rralla.

Jordana Bell, profesoreshë e epigjenomikës pranë Kolegjit Mbretëror Londër, tha se studimi i tyre gjen lidhje midis një përbërësi kyç të çokollatës së zezë dhe qëndrimit më të ri për më gjatë.

“Ndërsa nuk po themi se njerëzit duhet të hanë më shumë çokollatë të zezë, ky hulumtim mund të na ndihmojë të kuptojmë se si ushqimet e përditshme mund të përmbajnë të dhëna për një jetë më të shëndetshme dhe më të gjatë.”

Shkencëtarët testuan gjithashtu molekula të tjera që gjenden në kakao dhe kafe, por sugjerojnë se efekti është specifik për teobrominën. Ekipi tani po heton nëse efekti në plakjen biologjike është unik për teobrominën apo nëse përbërësi bashkëvepron me kimikate të tjera në çokollatën e zezë, siç janë polifenolet, një antioksidues i fuqishëm që gjendet gjithashtu në fruta, perime, çaj, kafe dhe verë.

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments