Pertussis bën kërdinë në rajon
Në vendin tonë janë evidentuar dy raste të kollit të keq. Sëmundja kolli I keq apo “pertussis” është konfirmuar tek një foshnje 6-muajshe e hospitalizuar në Klinikën “Kozle” në Shkup dhe situata e saj është stabile, kanë njoftuar mjekët.
Drejtori i ISHP-së, Shaban Memeti, dje deklaroi se gjatë vitit 2023 ishin evidentuar tri raste të kollit të keq.
Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, sic njofton KlanM, duke komentuar situatën me këtë sëmundje ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve.
“Nuk mundemi që brenda natës ta ndryshojmë mentalitetin e qytetarëve, por u bëj thirrje, e ardhmja jonë janë fëmijët tonë dhe të gjithë duhet të vaksinohen për shkak se vaksinat mbrojnë dhe shpëtojnë jetë. Duhet të kuptojmë të gjithë se vaksinimi është e ardhmja jonë dhe e ardhmja e shtetit tonë” – tha Mexhiti.
Në vendin tonë, viteve të fundit në mënyrë drastike ka rënë vaksinimi me Di-Te-Per vaksinën që mbron nga kolli i keq.
Në vitin 2022 ishin vaksinuar 84% e foshnjeve, thuajse 10% më pak se para pandemisë.
“Pertusis” apo kolli i keq, manifestohet përmes infektimit që nis në fyt dhe atje izolohet. Simptomet nisin sikurse ftohje e zakonshme, por karakteristike për këtë sëmundje është se sulmet e kollitjes përcillen me psherëtimë të thellë.
Sëmundja përcillet përmes kollitjes dhe teshtimës, kurse i infektuari mund ta përcjellë edhe 3 javë pas simptomave të para. Sëmundja zgjat 2 deri 3 javë, kurse në disa raste nga 2 deri 3 muaj. Kategori më të cënueshme janë foshnjet dhe fëmijtë, por sëmundja mund t`i prek edhe të rriturit.
Kolli i keq, bën kërdinë edhe në rajon. Në Beograd është shpallur epidemia me mbi 400 raste, kurse në gjithë Serbinë janë mbi 900 të infektuar.
Në Kroaci janë regjistruar rreth 4.000 fëmijë të sëmurë, kurse para Vitit të Ri, për shkak të një infeksioni të fuqishëm bakterial ndërroi jetë një foshnje 1.5 muajshe në Bosnjë.